Ish-polici ekzekuton gruan pranë Gjykatës në Elbasan



Ish-polici ekzekuton gruan pranë Gjykatës në Elbasan

13:03 06/05/2021

Çifti në proces divorci. Të plagosur nga ngjarja edhe 2 kalimtarë të rastit

Një ngjarje e rëndë tronditi këtë të enjte Elbasanin. Një grua gjeti vdekjen pasi u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë gjykatës së Elbasanit.

Viktimë nga kjo ngjarje ka mbetur Liljana Buzo. 54-vjeçarja ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda. Autor i kësaj vrasjeje është Koço Buzo, 58 vjeç i cili është arrestuar nga policia.

Çifti mësohet se ishte në proces divorci. Autori dyshohet se hapi zjarr në momentin që gruaja doli nga gjykata. Të plagosur nga kjo ngjarje kanë mbetur edhe 2 kalimtarë të rastit, fatmirësisht pa rrezik për jetën.

Gazetari Fatos Salliu për Klan News tha se autori ka pritur momentin që gruaja po dilte nga gjykata dhe ka hapur zjarr me breshëri automatiku.

Policia Elbasan | Informacion paraprak

Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./tvklan.al










Të ngjashme