Ambasada ruse në Tiranë është në vënë në shenjestër të ISIS së bashku me të tjera seli diplomatike të këtij vendi në botë. Lista është publikuar nga vetë Shteti Islamik.

Emri ambasadës ruse në Tiranë qëndron në krye të listës. Për shkak të këtyre kërcënimeve prej dy ditësh pranë ambasadës ruse në kryeqytetin shqiptar janë forcuar masat e sigurisë.

Selia diplomatike dhe rezidenca po ruhen jo vetëm nga policë me uniformë, por edhe nga agjentë të anti-terrorit. TV Klan mësoi se Shërbimet e Inteligjencës po mbajnë nën mbikëqyrje disa individë të veçantë.

Të njëjtat burime thanë se masat e sigurisë janë rritur edhe në disa seli të tjera diplomatike në Tiranë. Lista e ambasadave të vëna në shënjestër të ISIS u publikua me qëllim nxitjen e sulmeve të ngjashme me atë ndaj ambasadorit rus në Turqi, i cili u vra nga një efektiv i policisë së Ankarasë gjatë një ekspozite pikturash.

Thirrja e shtetit islamik u drejtohej mbështetësve dhe besnikëve për të sulmuar ambasadat ruse. ISIS ka publikuar në listë me adresa, numra telefoni dhe kontakte te ambasadave ruse në botë.

Këtu bëjnë pjesë edhe ambasada ruse në Iran, në Uganda por edhe ajo e Azerbajxhanit.

Thirrja e ISIS vjen pas ekzekutimit te ambasadorit rus të akredituar në Turqi, sulm të cilin e mori përsipër Shteti Islamik./ TV KLAN