Ismet Shehu, njeriu që qëndron pas rrjetit të restoranteve të dashura “Ceren Ismet Shehu”, i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, rrëfeu për marrëdhënien e tij të afërt me vajzën e tij të vogël 6-vjeçare, Inesin.

Përtej videove të bukura që ai poston në “Instagram” me të, qëndron një marrëdhënie me baza të forta në të cilën ai e sheh vajzën si shoqen e tij më të mirë. Me vajzën ndan një pasion të përbashkët për natyrën, gatimin dhe ushqimin.

Por, pavarësisht se ajo është trashëgimtare e biznesit të ngritur nga ai, Ismet Shehu shprehet se nuk dëshiron që Inesi të ndjekë rrugën e tij.

Rudina Magjistari: Do të të pëlqente që të të pasonte dhe të merrte stafetën tënde?

Ismet Shehu: Okay, po nuk uroj që ta marrë sepse është zanat i vështirë, është stres i madh, je i mbyllur në çdo kohë, mezi pret pushimet sepse nuk punon në një sezon. Unë them të realizojë ëndrrën që dëshiron, por mund të jetë një krah i imi i djathtë në punë që të kuptojë disa gjëra nëse unë nuk jam aty dhe të ketë një ide se ç’ndodh.

Rudina Magjistari: Ajo mund të mos merret me kuzhinën drejtpërdrejt, por të menaxhojë biznesin.

Ismet Shehu: Menaxhim Biznesi do të ishte shumë mirë dhe mendoj se është e aftë pasi ka koncept, ide, madje edhe mua më bën shumë vërejtje. /tvklan.al