Kjo pason paralajmërimet nga disa vende dhe organizata se uria akute mund të godasë Gazën brenda javësh

Gjykata e lartë e OKB-së ka urdhëruar Izraelin që të mundësojë rrjedhjen e papenguar të ndihmave në Gaza për të shmangur zinë e bukës.

Në një vendim unanim, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se Izraeli duhej të vepronte pa vonesë për të siguruar shërbimet bazë të nevojshme. Kjo pason paralajmërimet se uria mund të godasë Gazën brenda javësh.

Duke dhënë përgjigjen e saj ndaj urdhrit të gjykatës, ministria e Jashtme izraelite tha se po vazhdonte “të promovonte iniciativa të reja dhe të zgjeronte ato ekzistuese” për të lejuar një rrjedhë të vazhdueshme ndihme në Gaza “nga toka, ajri dhe deti”, duke punuar me OKB-në dhe të tjerët.

Vendimi i fundit i gjykatës në Hagë vjen pasi Afrika e Jugut i kërkoi asaj të merrte të gjitha masat për të parandaluar aktet gjenocidale në Gaza. 2.2 milionë njerëzit në Gaza po përballen me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore” dhe se uria parashikohej të godiste veriun e territorit përpara fundit të Majit.

Gjykata vuri në dukje gjithashtu komentet e Volker Türk, komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, i cili tha javën e kaluar se situata e urisë, ishte rezultat i kufizimeve të gjera të Izraelit për hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare. Në muajt e fundit, radhët e gjata të kamionëve ndihma janë krijuar në mënyrë të përsëritur teksa presin të hyjnë në Gaza nga Egjipti dhe janë ngritur akuza ndaj Izraelit se po zgjat periudhën e inspektimeve.

Ndërkaq edhe pse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të hënën që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, mbetet për t’u parë nëse do të ketë një efekt konkret në luftë apo do të jetë thjesht një deklaratë politike.

Zyrtarë të lartë izraelitë thanë se ata do të injoronin thirrjen për një armëpushim, duke argumentuar se ishte e domosdoshme të vazhdohej lufta derisa të shpërbëhej krahu ushtarak i Hamasit. Që nga e hëna, nuk ka pasur asnjë ndryshim të dukshëm në fushatën ushtarake.

Në vetëm 24 orët e fundit 71 palestinezë janë vrarë dhe 112 janë plagosur ndërsa luftime të ashpra janë zhvilluar edhe në kufi me Libanin ku mbeti i vrarë një lider i Hezbollahut.

Klan News