Juventusi ka arritur marrëveshje me Realin e Madrid për transferimin e Cristiano Ronaldo. Ylli portugez do të transferohet në Torino për 105 milionë Euro. Sipas mediave të huaja, 33-vjeçari pritet të nënshkruajë marrëveshje 4-vjeçare me “Zonjën e Vjetër”.

Lajmi për largimin e CR7 është konfirmuar edhe nga skuadra madrilene. Në një komunikatë zyrtare, Real Madrid thotë se transferimi u krye bazuar në vullnetin dhe kërkesën e vetë lojtarit. Real Madrid i shpreh gjithashtu mirënjohjen portugezit për gjithçka ka dhënë për “galaktikët”, duke shënuar një nga kohët më të mira të klubit spanjoll për 9 vitet që ka qenë pjesë e tyre.

“Për Real Madrid, Cristiano Ronaldo do të jetë gjithmonë një nga simbolet më të mëdha dhe një referencë unike për gjeneratat e ardhshme. Real Madrid do të jetë gjithmonë shtëpia jote

“, mbyllet komunikata e klubit madrilen.

Presidenti i Juventus, Andrea Agnelli besohet se ka udhëtuar në Greqi për t’u takuar me Ronaldon, ku ky i fundit po pushon së bashku me familjen. Fituesi i 5 Topave të Artë pritet që të udhëtojë nesër në Torino për të nënshkruar marrëveshjen.

Gazeta spanjolle “Marca” pohon se marrëveshja tashmë është e kompletuar dhe orët në vijim pritet që të ketë njoftim zyrtar nga klubi italian. /

tvklan.al