Për herë të parë, shkrimtari Ismail Kadare është shprehur për debatin e nxehtë të ndryshimit të kufijve të Kosovës pas idesë së hedhur për bashkimin me të, të Luginës së Preshevës. Në një intervistë për agjencinë “Presheva Jonë”, Kadare e sheh të rrezikshme idenë e korrigjimit të kufijve, sepse sipas tij, kjo do të destabilizonte Ballkanin.

“Copëtimi i Kosovës, këmbimi i territoreve, ridefinimi apo “korrigjimi” i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë… etj, të gjitha këto propozime dhe hipoteza nuk janë të panjohura, por më shumë se ide janë spekulime dhe “lojë me zjarrin” për destabilizimin e rajonit”.

Kadare shkon në të njëjtën linjë edhe zërat nga komuniteti ndërkombëtar që vënë theksin te perspektiva e përbashkët e rajonit. Teksa këmbëngul te ruajtja e integritetit territorial të Kosovës, por e sheh të rëndësishme arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Shqiptaret dhe serbet, dialog e marrëveshje po, në Bruksel, por asesi në dem të sovranitetit te Kosovës! Askush s’ka te drejte, Serbia hiç e më hiç, të cenojë integritetin territorial te Republikës së Kosovës. Duhet reciprocitet mes Veriut dhe Luginës së Preshevës meqë këta të fundit nuk janë rehat…”

Kadare thotë se duhet bërë më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe autoritetet serbe duhet të lejojnë vizitat e krerëve të shtetit të Kosovës në këto troje.

Tv Klan