Marijuana u sekuestrua në një kamion që kaloi nga dogana e Hanit të Hotit, arratiset shoferi

Një sasi prej 220 kg kanabis është kapur në një kamion në Podgoricë i cili udhëtonte nga Shqipëria drejt Malit të Zi. Lënda narkotike ishte vendosur në 224 pako, ndërsa në dokumentet e pikës doganore kamioni rezulton i regjistruar për transport të fruta perimeve. Sipas autoriteteve malazeze, kamioni i përket kompanisë së fruta perimeve “Bugarin” me seli në Podgoricë.

Në momentin që punonjësit e policisë i kanë komunikuar shoferit të kamionit se do kontrollohej ngarkesa, drejtuesi është larguar me vrap duke i shpëtuar arrestimit. Sasia e kanabisit të sekuestruar është raportuar dhe tek pala shqiptare për verifikim, pasi ka dyshime se ngarkesa mund të jetë marrë në vendin tonë.

Nga të dhënat e para mësohet se shoferi i kamionit nuk rezulton të jetë shtetas shqiptar, ndaj kanë nisur verifikimet për itinerarin e kamionit. Hetuesit kanë ngritur dyshime se lënda narkotike ka ardhur nga Greqia por nuk përjashtohet dhe mundësia që të jetë ngarkuar dhe në vendin tonë.

Kjo është ngarkesa e dytë, brenda pak muajsh që kapet në Malin e Zi, ndërsa metoda e përdorur është e njëjta, me anë të kamionëve të deklaruar për import-eksport fruta perimesh. Dyshimet e para janë se mund të kemi të bëjmë me të njëjtën linjë, por grupi hetimor ende nuk ka një rezultat konkret.

 Në kuadër të operacioneve për goditjen e linjës së trafikut të drogës me vendet fqinje, policia shqiptare njofton se ka arrestuar 30-vjeçarin Andi Veshaj i cili ndodhej në kërkim nga Italia. Veshaj i bashkohet 5 të arrestuarve të tjerë, të cilët u ndaluan në kuadër të operacionit TIBUS, që në total çoi në pranga 55 persona. Shqiptarët e ndaluar janë pjesë e grupit të trafikut të drogës nga Vlora drejt Italisë dhe më pas drejt vendeve të BE-së.

Klan News