Kampionati spanjoll do të rifillojë më 12 Qershor

Kampionati spanjoll do të rifillojë më 12 Qershor

17:35 22/05/2020

La Liga do të rikthehet më 12 Qershor! Është ky lajmi që vjen nga mediat spanjolle, të cilat zbulojnë se tashmë, presidenti i La Liga, Javier Tebas, së bashku me 20 skuadrat elitare në Spanjë, kanë rënë dakord për t’u rikthyer në fushën e blertë dhe për t’i vendosur aty verdiktet e sezonit 2019-2020.

Menjëherë pas kësaj, La Liga ka nisur punën për të rimodeluar kalendarin për 11 javët e mbetura, vendim që do u komunikohet 20 klubeve të kategorisë më të lartë të futbollit në Spanjë të enjten e 28 Majit.

Për të pasur një rikthim sensacional, në Spanjë po mendojnë që ta rinisin kampionatin me derbin mes Sevillas dhe Real Betis, e vlefshme për javën e 28-të të La Liga, javë që ishte parashikuar të luhej më 15 Mars, por sipas gjasave do të zhvillohet rreth 3 muaj më pas, konkretisht më 12 Qershor.

Me rifillimin e sezonit, gara për titullin kampion në La Liga pritet të bëhet akoma dhe më e nxehtë për shkak se 2 pikë janë ato që ndajnë Barcelonën me rivalin historik, Real Madrid. El Clasico për këtë sezon i ka dhënë verdiktet e saj, me Realin që është më e favorizuar në këtë pikë, pasi ka marrë 4 pikë nga 6 të mundshme.

Javët e mbetura favorizojnë Real Madrid që me përjashtim të sfidave me Valencian dhe Real Sociedad, luan me skuadrat e gjysmës së dytë të tabelës, teksa Barcelona luan si vendas ndaj Atletico Madrid, Atletico Bilbao dhe Espanyol, si dhe udhëton drejt Seviljas në javën e 30. Deri në një zyrtarizim të planeve, pritet një verdik final nga Federata e Futbollit dhe qeveria Spanjolle.

Klan Plus

Të ngjashme

Grupi

Kallezo