Në prag të Kongresit të tretë të Partisë Socialiste për zgjedhjen e kryetarit të ri, Fatos Nano ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion”. Ai u shpreh se pozicioni i tij në PS ka qenë altruist dhe se asnjëherë nuk kishte kërkuar kompromise të ngushta me aktorët politikë, ndaj dhe shtoi se nuk mund të gjykonte kundërshtarin e tij Pandeli Majko.

“Unë i kam ftuar të gjithë që të shprehen për një paketë ndryshimesh statusore që do të pasuronin programin socialist për forcimin e saj dhe për rritjen e rezultatit, për të bërë një Shqipëri moderne. Mbi bazën e shprehjes për rregulla dhe koncepte që na çojnë përpara janë të mundura të gjitha marrëveshjet, sepse në konceptin tim postet janë përgjegjësi. Pozicioni im në politikën shqiptare nuk ka qenë egoist, por altruist dhe nuk mund ta gjykoj ndryshe kundërshtarin Pandeli Majko. Unë nuk kam kërkuar kompromise personash të ngushta, unë i kam ftuar të gjithë, edhe Metën, i cili është paraqitur preferencial në opinionin publik. Kjo nuk shpjegon ndonjë preferencë emocionale timen sepse ai është njëlloj i preferuar nga pikëpamja e një konsensusi politik”, tha Nano.

I pyetur lidhur me ndryshimet thelbësore të programit të tij në krahasim me atë të Majkos, Nano tha se nuk ka ndryshime thelbësore por mënyra e zbatimit të koncepteve  programore të reformave institucionale dhe strukturore do të ishin krejt të ndryshme.

“Majko nuk ka paraqitur asnjë platformë kandidimi apo përmirësimi të programit të Partisë Socialiste në raport me platformën konkrete që kam paraqitur unë. Majko është mjaftuar të thotë që: “Nano s’ka alternativë tjetër përveç programit socialist”. Programi socialist nuk është bibla që i shërben të gjitha gjeneratave dhe kohërave, ai ka nevojë për përmirësim për të ndjekur dinamikën e zhvillimeve. Nga kjo pikëpamje mbetet për tu kuptuar reagimi i Majkos për propozime alternative që janë hedhur nga unë dhe të tjerët. Ndërsa po të kthehemi tek ndryshimet thelbësore mes programeve mund të them që ndryshime thelbësore nuk ka, por mënyra e zbatimit të koncepteve programore të reformave institucionale dhe strukturore është e krejt e ndryshme. Madje në shumë raste është e kundërt. Në rastin tim u hodhën edhe hapa të kushtueshëm politikisht për të ndërtuar institucione dhe ti zhveshur nga dominimi partiak. Në rastin Majko janë hedhur hapa që anulojnë zhvillimet pozitive të qeverisë së mëparshme socialiste”, tha Nano. / tvklan.al