Sulmi në Kongresin Amerikan, Yuri Kim: Liria dhe e drejta nuk duhet të shndërrohen në paligjshmëri



Sulmi në Kongresin Amerikan, Yuri Kim: Liria dhe e drejta nuk duhet të shndërrohen në paligjshmëri

11:45 08/01/2021

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar për situatën kaotike të dy ditëve më parë në Uashington të Shteteve të Bashkuara, ku protestuesit hynë në ambientet e brendshme të Kongresit.

Ambasadorja Kim thotë se demokracia nuk është e lehtë dhe nuk duhet të merret si e mirëqenë. Sipas saj, liria dhe e garantimi i së drejtës nuk duhet të kthehen në paligjshmëri dhe dhunë ndaj vetë demokracisë.

“Shumë miq shqiptarë kanë shprehur shqetësimin për sulmin ndaj Kongresit në SHBA. Do të doja t’ju falenderoja që qëndruat në krahun tonë. Presidenti Trump e bëri të qartë se SHBA është dhe duhet të mbetet një komb i ligjit dhe i rendit, ku ata që shkelën ligjin, do të duhet ta paguajnë. Presidenti Trump e bëri gjithashtu të qartë se Kongresi certifikoi rezultatet e zgjedhjeve dhe tani është i përqëndruar për të garantuar një tranzicion të qetë të pushtetit më 20 Janar. Atë që SHBA ua këshillon edhe të tjerëve, vlen edhe për ne: liria e fjalës dhe e drejta e tubimeve janë thelbësore për demokracinë. Por kjo liri dhe e drejtë nuk duhet të shndërrohet në paligjshmëri dhe dhunë ndaj vetë demokracisë, përfshirë tranzicionin paqësor të pushtetit. Demokracia nuk është e lehtë dhe nuk duhet të merret si e mirëqenë. SHBA do të dalë më e fortë ndaj kësaj sprove të demokracisë. Ata që besojnë në demokraci, duhet të riangazhohen për ta mbrojtur atë gjithmonë”, ka shkruar në Twitter ambasadorja amerikane.

Dy ditë më parë, mbështetësit e Trump hynë brenda Kongresit duke ndërprerë procesin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, ku fitues u shpall Joe Biden. Nga këto trazira mbetën të vdekur 5 persona. /tvklan.al






Të ngjashme