Njësia e menaxhimit të emergjencës kosovare është ndërtuar në ambjentet e Këshillit të Ministrave. Komisioni kryesohet nga Kryeministri Majko dhe funksionon në dy grupe të mëdha. I pari është grupi shqiptar i menaxhimit të emergjencës dhe i dyti grupi i koordinimit të ndihmës së huaj, i përbërë nga përfaqësues të organizatave të huaja që operojnë në Shqipëri.

Kastriot Islami: Unë arrij të koordinoj dhe detyra ime lidhet pikërisht me koordinimin e këtyre dy grupeve të mëdhenj që ka për qëllim menaxhimin e situatës aktuale të emergjencës. Konkretisht grupi shqiptar ka për detyrë të evidentojë gjatë ditës në dinamike gjendjen aktuale të të ardhurve, atyre që transportohen dhe mënyrën se si është shpërndarë dhe njëkohësisht të evidentojë të gjithë nevojat në zonën kryesore të emergjencës që është Kukësi dhe ka filluar të jetë edhe Tropoja, por dhe në të gjithë rrethet e vendit ku janë shpërndarë. Dhe kështu kemi nga njëra anë të gjithë listën ose të gjithë matricën e ndihmave që vijnë dhe nga ana tjetër kemi matricën e nevojave dhe gjithë synimi është të kordinohen nevojat me mundesitë që vijnë nga ndihma e huaj.

Kërkesat kryesore i përkasin transportit konfirmon zoti Islami, drejtim në të cilin janë kërkuar edhe ndihmat më të mëdha për të vazhduar më pas me instaurimin e kampeve të pritjes e deri tek emergjencat tipike si ushqimi dhe veshmbathja.

Kastriot Islami: Një procedurë mjaft transparente që dhe do të kontrollohet nga Kontrolli i Shtetit do të lidhet pikërisht me mënyrën e shpërndarjes së këtyre ndihmave nga magazinat në drejtim të Prefekturave dhe pastaj në drejtim të të gjithë të dëbuarve nga Kosova. Duhet të kemi parasysh që mekanizmi ose rrjeti kryesor i implentimit është Pushteti Lokal. Pra gjithçka arrin në nivelin e Prefekturës. Në nivel prefekture janë ngritur grupet e emergjencës ku përfshihen Kryetarët e Bashkive, Kryetarët e Rretheve, Kryetarët e Komunave dhe janë pikërisht ata që e implementojnë dhe për ata do të ketë një rregullore shumë të qartë, shumë të saktë, se si ata do të marrin në dorëzim dhe si do të shpërndajnë pikërisht ndihmën që do të vijë për të dëbuarit nga Kosova./tvklan.al

Gazetare : Eni Vasili