Përse nuk përcaktohen kandidatët për anëtarët e KLP-së nga shoqëria civile? Klan Plus mëson se tre raunde kanë dështuar se kandidatët nuk i kanë plotësuar dot kriteret e vendosura. Madje kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit thotë se kriteret janë shumë të forta sa zor se mund të gjenden kandidatë edhe në raundin tjetër

Ka marrë përmasat e një sage gati 1-vjeçare zgjedhja e përfaqësuesit të shoqërise civile në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Do të ishte kjo strukturë e re në organin e akuzës që sipas reformës në drejtësi do të propozonte kandidatit për kryeprokuror pas mbarimit me 4 Dhjetor të mandatit të Adriatik Llallës.

Për pesë raunde me radhë asnjë përfaqësues nga shoqëria civile dhe shoqatat jo qeveritare nuk ka mundur të plotesojë kriteret dhe të kualikohet nga struktura përzgjedhëse e kuvendit dhe ONM për të qenë anëtar i KLP. Kjo ka detyruar kuvendin të rishpallë afatin e ri datën 30 Nëntor që të paraqiten kandidatë të tjerë nga shoqëria civile që plotësojnë kriteret që sipas drejtoreshës së Komitetit të Helsinkit Erida Skendaj janë shumë të vështira.

Pas 30 Nëntorit kuvendit duhet t’i paraqiten tre kandidatë nga shoqëria civile për të zgjedhur një anëtar të këtij këshilli. Kjo situatë ka detyruar ndërkombetarët të propozojnë zgjedhjen nga parlamenti një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm derisa të krijohet KLP. Nga 11 anëtarë të kësaj strukture të re, gjashtë do të jenë përfaqësues nga të gjitha nivelet e prokurorisë, pesë anëtarë do të jenë juristë joprokurorë, 2 të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, 2 nga radhët e pedagogëve të drejtësisë dhe 1 përfaqësues i shoqërisë civile.

Nga institucionet e përmendura më lart janë përzgjedhur emrat që kandidojnë për anëtarë të KLP dhe që do të votohen në Kuvend në kohën që do të jenë gati tre kandidatët nga shoqëria civile. Dhe në fund në mënyrë që të ngrihet zyrtarisht Këshilli i Lartë i Prokurorisë kandidatët e shpallur duhet të kalojnë edhe procesin e vettingut.

Burimi: Klan Plus

Gazetar: Vladimir Lame