Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka ngritur shqetësimin për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike për projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”. Si palë e interesit dhe për mungesën e një relacioni dhe bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i drejtohet me një letër të hapur institucioneve më të larta shtetërore ku përfshihet Kuvendi i Republikës, Kryeministri Rama, Ministria e Shëndetësisë dhe Avokati i Popullit.

Pesë komunitetet fetare kryesore, me një grup pune të përbërë nga specialistë si: juristë, sociologë, teologë dhe mjekë, kanë argumentuar të gjitha arsyet ligjore, shkencore dhe teologjike se përse ky Projektligj ka shumë parregullsi duke mos u përshtatur me realitetin shqiptar.

Ndër të tjera grupi i punës ka paraqitur para Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar argumentet profesionale në lidhje me projektligjin në fjalë dhe efektet negative që ai mund të ketë për shëndetin e individit, familjes dhe shoqërisë shqiptare.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si grup interesi, kërkon të ndërpritet shqyrtimi i projektligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” pa pjesëmarrjen e tij në seancat konsultative në Ministrinë e Shëndetësisë, t’i njihet e drejta të paraqesë vëzhgimet apo kundërshtitë lidhur me projektligjin, si dhe të bëhet pjesë e dëgjesave publike të këtij projektligji. Në rast të kundërt, Këshilli Ndërfetar kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Siç vihet re në argumentat e shtjelluara të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Teknikat e riprodhimit të asistuar dhe Shtatzënia surrogative sipas tyre bien ndesh dhe cënojne të drejtën e jetës, dinjitetit njerëzor dhe lirinë. Gjithashtu theksojne se shkelen direktivat dhe normat e Bashkimit Europian, ku Shqipëria aderon dhe ka detyrim t’i zbatojë, ndërsa Surrogacia mund të stimulojë trafikimin njerëzor që është një akt kriminal që ka një kosto të lartë njerëzore.

“Me dëshirën që kërkesat të cilat përfaqësojnë vullnetin dhe qëndrimet e të gjithë besimtarëve, të marrin vëmendjen e duhur nga ana e institucioneve ligjzbatuese dhe të gjithë së bashku, të punojmë për një të ardhme më të mirë e më të sigurt për brezat e rinj”, përfundon Letra e Hapur e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Projektligji për “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” është për konsultim publik deri më 12 Maj, më pas do te ndiqen hapat e tjera nga hartuesit e tij.

Klan News