Këshilli Rinor Shqiptar i është bashkuar shqetësimit për rrezikun e kthimit të Shqipërisë në një vend depozite të mbetjeve urbane. Projektvendimi i qeverisë për miratimin e marrëveshjes koncensionare mes shoqërisë “Albanain Peaks” është simptomë e degradimit mjedisor kundër interesave kombëtare. Këshilli Rinor do të ndërmarrë hapa për ndalimin e këtyre plehrave në Shqipëri, ndërsa Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve do të mbulojë procedurat ligjore për shfuqizimin e këtij vendimi të qeverisë.

“ Nga të gjitha informacionet e bëra publike deri më tani sjellja e këtyre mbetjeve e shndërron në mënyrë të pakthyeshme Shqipërinë në një vend ku mbillet kancer dhe ku degjenerohen aspiratat e brezave për një të ardhme më të begatë. Në rast se qeveria në këtë rast do të bëjë veshin e shurdhët atëherë këshilli rinor do të inicojë një protestë mbarëkombëtare duke ftuar gjithë rininë shqiptare.”

Për Ministrinë e Mjedisit projektmarrëveshja është ende në negocim e ministritë e ngarkuara po punojnë për shtesa të caktuara. Ndërtimi i një impianti të tillë nuk është shqetësues, ai sjell përfitimi mjedisore. Në ligj lejohen të importohen mbetje letre, qelqi, tekstile, trikotazhe dhe të leshta.

“ Do të kërkoj që ndikimi në mjedis i këtij aktiviteti, i kësaj procedure të jetë sa më minimal kjo jo vetëm krahasuar me nivelin aktual të ndotjes në Shqipëri dhe i mbetjeve urbane në këto dy qarqe, por edhe i krahasuar me normat dhe standartet ndërkombëtare bashkëkohore. Aktualisht mbetjet në Shqipëri të paktën në Tiranë merren dhe hidhen në Sharrë ku janë në mëshirë të fatit duke u djegur prandaj është një ide si të thuash një vendim, kërkohet një vendimmarrje për të ngritur një vënd, një depozitim të kontrolluar duke u vendosur kushte konkrete për respektim të të gjitha normave dhe standarteve për shkarkimet në ujë në ajër dhe në tokë, për pasojë dhe në shëndetin e njeriut.”

Koncensioni me Italinë për importim mbetjesh e përpunim të tyre duke mos kërkuar para duket se është pjesa që tundon qeverinë për të miratuar një marrëveshje të tillë. /tvklan.al