Për ambasadoren Yuri Kim, nënshkrimi i marrëveshjes mes SHBA dhe vendit tonë për gazin e lëngshëm është një tregues i qartë sesa përparim ka bërë vendi ynë. E pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kim tha se Shqipëria është shndërruar nga Koreja e Veriut të Europës në një pikë të mundshme energjie në Ballkan dhe në Europë.

“Dua të përgëzoj ministren Balluku dhe të gjithë ekipin e saj që kanë realizuar me sukses një marrëveshje të frytshme për të cilën kemi punuar për vite. Memorandumi i sotëm dhe nënshkrimi i tij është vërtetë i jashtëzakonshëm. SHBA e kanë mbështetur rolin unik të aleates së NATO-s, Shqipërisë, për të zhvilluar sigurinë, përfshirë dhe sigurinë e saj energjetike. TEC i Vlorës do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të aksesit europian në burime të qëndrueshme të energjisë. Një Europë e sigurt në burimet e saj energjetike është një partnere e fortë për të punuar për objektivat tona të përbashkëta në rajon dhe në të gjithë botën”.

“Vlora gjithashtu do të jetë një hap tjetër për të trajtuar sfidat e energjisë dhe klimës në rajon. Marrëveshja e sotme hedh themelet për t’i dhënë fund varësisë nga termocentralet që funksionojnë me qymyrguri në të gjithë rajonin. Pra kombinimi i larmishëm në Shqipëri i energjisë diellore, hidrike, të erës dhe tashmë të gazit natyror të lëngshëm, do ta bëjë Shqipërinë një transportues dhe një partner domethënës për këtë lloj ndryshimi. Do doja të falenderoja Exxon Mobil & Excelerate Energy që patën vizionin për të parë Shqipërinë si një pikë të vlefshme hyrëse për Ballkanin dhe më gjerësisht për Europën”.

“Rritja e lidhjeve ekonomike midis Shqipërisë dhe SHBA është një nga përparësitë tona kryesore strategjike dhe e shoh ditën e sotme si një gurë themeli gjigand në këtë drejtim. Presim me padurim të punojmë së bashku për të forcuar lidhjet midis SHBA dhe Shqipërisë, dhe për të dhënë një kontribut pozitiv për energjinë dhe sigurinë e rajonit”.

“Dua të theksoj edhe faktin që më 15 Mars do të festojmë 30 vjet qysh prej rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë dhe nuk mund të mendoja për një ngjarje më të përshtatshme sesa nënshkrimi i kësaj marrëveshje për të treguar sesa shumë është bërë përparim në Shqipëri, që u shndërruar nga Koreja e Veriut të Europës në shndërrimin e një pike të mundshme energjie në Ballkan dhe në Europë, kështu që përgëzime. Jemi shumë krenarë për të atë që keni mundur të arrini dhe shpresoj fort që të arrijmë ta çojmë deri në fund”.

Vendi ynë nënshkroi këtë të premte marrëveshjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë e SHBA, përmes Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë dhe Exxon Mobil & Excelerate Energy, për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri. Një projekt i cili përfshin konvertimin e TEC-it të Vlorës me LNG, ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi dhe shpërndarjen e LNG, duke e shndërruar Vlorën në një HUB rajonal për gazin e lëngshëm./tvklan.al