Klan në mbarë botën me teknologjinë OTT


Klan në mbarë botën me teknologjinë OTT

12:55 13/09/2020

Mund të shihet kudo nga TV, smartphone, tablet apo kompjuter

Televizioni Kombëtar Klan do të vijë shumë shpejt në Shqipëri dhe në mbarë botën nëpërmjet teknologjisë më të fundit të transmetimeve, platformës OTT.

Kjo platformë është një shërbim mediatik që u ofrohet shikuesve kudo që janë nëpërmjet internetit, duke përdorur pajisjet tuaja telefon, tablet, laptop apo kompjuter.

Nëpërmjet këtij shërbimi nuk do të jetë më e nevojshme po ashtu që shikuesit të qëndrojnë të mbërthyer përpara televizorit për të parë programet e preferuara, por ato mund t’i shohin në çdo kohë, kur të dëshirojnë.

Një program direkt apo një serial që shihet në platformën OTT mund të ndalohet dhe të riniset aty ku ishte ndalur. Përmes OTT mund të vihen në regjistrim kanale, programet e të cilave mund të shihen në çdo kohë.

Me këtë platformë, programet e Tv Klan do të shfaqen tashmë jo vetëm në televizore, por në çdo ekran tjetër të pajisjeve të ndryshme si telefonat smart me sistem Android apo iOS, tablet, laptop apo kompjuter, që tashme janë në përdorim nga çdo moshë e kategori, por në mënyrë të veçantë nga të rinjtë.

OTT ofron një videotekë virtuale me një pafundësi filmash, dokumentarësh, filma vizatimorë për fëmijë, seriale, etj, të cilët mund të shikohen kudo dhe kurdo. Falë fleksibilitetit që ofron ndërveprimi në OTT mund të shtyhen përpara me shpejtësi, apo të kthehen mbrapa, të ndalohen e të rifillohet edhe nëse ka kaluar një muaj nga koha kur është ndaluar së pari.

Në këtë mënyrë shikuesi ka një kontroll të paimagjinueshëm mbi televizorin, i cili, shndërrohet kështu në një produkt të një gjenerate tjetër.

Sinjali televiziv përmes platformës OTT ofrohet me një cilësi tepër të lartë nëpërmjet internetit.

Përmes kësaj teknologjie të së ardhmes, që ofrohet në formën më të thjeshtë për çdo përdorues, televizioni Klan dhe të gjitha kanalet e platformës sonë, do t’u mundësojë shikuesve në Shqipëri dhe mbarë botën të shohin në ekranin më të madh të shqiptarëve, të gjitha programet e tij të larmishme, më të ndjekurat në vend.

OTT vjen si një nga zhvillimet më të mëdha teknologjike televizive në botë, duke transformuar sa Televizionin Kombëtar Klan aq edhe mënyrën e të shikuarit të programeve të tij të larmishme, duke i bërë të aksesueshme nga çdo pike e globit, në çdo kohë, vetëm duke shkarkuar aplikacionin Klan OTT në televizorin, kompjuterin, telefonin apo tabletin tuaj.

Tv Klan












Të ngjashme