Klubi i Prodhuesve ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mundësojë kthimin e TVSH-së për blerje të produkteve dhe për shërbime vendore. Kjo do të thotë që, të gjithë qytetarët të cilët blejnë produkte vendore ose kërkojnë shërbime vendore t’iu kthehet e gjithë vlera e TVSH-së së paguar.

Ky klub e ka arsyetuar këtë kërkesë duke shtuar se një masë e tillë do të inkurajonte blerjet e prodhimeve vendore, stimulonte konsumin dhe do t’i ndihmonte punëtorët në fabrika që të ruajnë vendet e tyre të punës në këtë kohë të pandemisë.

“Përkrahja e kompanive prodhuese të produkteve dhe shërbimeve vendore është e domosdoshme sidomos tani kur shumë shtete janë duke i përkrahur kompanitë prodhuese të vendit”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, një masë të tillë e ka ndërmarrë edhe Maqedonia e Veriut, ku qytetarët atje gjatë periudhës së fundjavës, kanë mundësinë të blejnë produkte dhe shërbime maqedonase dhe pas blerjes TVSH-ja ju kthehet në llogaritë e tyre./kk