Rreziku i destabilizimit rus në Ballkan mbetet një shqetësim i madh i Shteteve të Bashkuara, por edhe aleatëve europianë. Ndikimi rus në rajon ishte ndër temat kryesore të raportimit që Komandanti i Forcave Amerikane në Evropë, Curtis Scaparrotti, bëri gjatë një seance dëgjimore në Senatin Amerikan.

“Rusia e ushqen paqëndrueshmërinë rajonale në përpjekje për të parandaluar vendet e Ballkanit në përparimin e tyre drejt integrimit euroatlantik. Rusia e kundërshton njohjen e Kosovës si shtet sovran dhe mundohet të ruajë ndikimin e saj në Serbi përmes ndihmës politike, ushtarake dhe ekonomike”.

Ushtaraku i lartë amerikan kritikoi edhe planet e Turqisë për të blerë sisteme mbrojtëse ajrore të Moskës, S-400. Një paralajmërim i drejtpërdrejtë për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet europiane erdhi edhe nga Presidenti i Këshillit Europian, Donald Truk.

“Ka fuqi të jashtme anti-europiane që po kërkojnë të ndërhyjnë në mënyrë sekrete apo të hapur në zgjedhjet e europianëve, sikurse ishte rasti i Brexit apo i fushatave zgjedhore nëpër Europë. Prandaj bëj thirrje atyre që duan të mirën e Europës, që të bashkëpunojnë nga afër”.

Pështjellim ka krijuar në Greqi edhe një deklaratë e Ambasadorit amerikan, Jeffrey Paiat se Shtetet e Bashkuara kanë prova të përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme në vendin fqinj.

“Në kemi parë prova të përpjekjeve të Rusisë për të minuar rolin e Patriarkut Ekumenik. Tani mund t’ju them se kemi parë prova të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e ardhshme greke.

Uashingtoni ka shprehur edhe më parë shqetësimin për ndërhyrjen ruse në çështjet e brendshme të shteteve ballkanike, siç ishte grushti i shtetit të Tetorit 2016 në Mal të Zi, që i parapriu anëtarësimit në NATO, apo dhuna e protestuesve opozitarë në parlamentin maqedonas, në Prill 2017, kur koalicioni pro-perëndimor zgjodhi shqiptarin Talat Xhaferi si kryeparlamentar.

Tv Klan