Pasi i kanë bërë mirë llogaritë, futbollistët e Kombëtares mund të pranojnë edhe barazimin në fushën e Izraelit, ndeshje që do të luhet këtë të diel në Ber Sheva.

“Ne e njohim pak a shumë Izraelin si ekip, por edhe ne jemi rritur si ata. Kjo ndeshje do të jetë e rëndësishme. Nuk do të ishte i keq barazimi. Gjithsesi, mendoj se ndeshja vendimtare do të jetë me Skocinë”, tha Etrit Berisha.

 Disi më me optimizëm e sheh Eros Grezda.

“Ka kualitet dhe duhet të jemi të vëmendshëm. Do të kemi më shumë hapësira sesa kishim me Jordaninë. Jam optimist sepse kemi një grup të mirë. Do të rikthehen disa lojtarë që pushuan”, Eros Grezda.

 Kombëtares i janë larguar për shkak dëmtimi mbrojtësi Frederik Veseli dhe mesfushori Ylber Ramadani. Trajneri Panucci ka grumbulluar me urgjencë Ivan Balliun dhe Sabien Lilajn.

Mbrëmjen e së enjtes Izraeli në fushën e vet fitoi 2 – 1 me Skocinë dhe tashmë të tre skuadrat e grupit kanë nga 3 pikë me Skocinë në vendin e parë për shkak të golavarazhit.

Tv Klan