Spektakël i madh në “Allianz Arena” në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampioneve! Bayern Monaco dhe Real Madrid barazuan 2-2 duke bërë që çështja kualifikim të zgjidhet në “Santiago Bernabeu” më 8 maj. Heroi për Los Blancos ishte Vinicius JR që realizoi dy gola, duke kaluar në epërsi spanjollët, e më pas duke barazuar rezultatin. Për rekordmenët gjermanë autorët e golave ishin Sane dhe Heri Kejn me penallti. Në përfundim të takimit, trajneri i bavarezëve, Tomas Tuhel tha se ekipi meritonte që të fitonte.

“Ne e meritonim fitoren, sepse krijuam më shumë raste se ata! Nuk është hera e parë që Reali detyron kundërshtarët në të tilla lojëra. Ata janë cinikë, të durueshëm, nuk i humbasin shanset që kanë. Mbrojta e tyre është e një niveli të lartë, nuk mund të gabosh kundër tyre, por ne bëmë dy gabime në mbrojtje”.

Ndërsa Karlo Ançeloti nuk ishte i kënaqur në përfundim të sfidës.

“Kualifikimi mbetet i hapur! Kaluam momente të këqija në fillim edhe pse më vonë patëm më shumë energji për të barazuar. Në pjesën e parë vuajtëm më shumë edhe pse i pësuam dy golat në pjesën e dytë”.

Në fund, tekniku italian bëri edhe një krahasim mes Kristiano Ronaldos dhe Vinicius JR. Sipas tij, portugezi ka bërë historinë e Los Blancos, ndërsa braziliani po e bën tani.

Klan News