Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit: Meta ka shkelur unitetin e popullit




Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit: Meta ka shkelur unitetin e popullit

13:20 28/05/2021

Komision Hetimor Parlamentar për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti Meta para dhe gjatë procesit zgjedhor vijon mbledhjen për raportin me të cilin do t’i drejtohet Parlamentit për të shkarkuar atë.

Në raport renditen gjetjet e hetimit nga konsultimi me ekspertët ligjorë dhe nga informacionet e mbërritura nga institucionet shtetërore.

Ndryshe nga komisioni i ngritur pak më shumë se një vit më parë, ku në fund mazhoranca socialiste i kërkoi Metes që të kthehet në shinat e kushtetuetshmërisë, këtë herë duket se PS-ja do t’i shkojë deri në fund nismës per shkarkimin e Presidentit.

Meta akuzohet nga deputetët socialistë se ka shkelur nenin 86/ 1 të Kushtetutës, sepse nuk po përfaqëson unitetin e popullit. Një tjetër akuzë që mazhoranca ka ngritur ndaj kreut të shtetit është shkelja e nenit 89. Sipas socialistëve, me veprimet e kryera, kreu i shtetit ka punuar gjatë fushatës në favor të një subjekti politik që merrte pjesë në garën e 25 Prillit.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e ndodhur vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në zyrat e FRD-së, komisioni hetimor akuzon ndaj Presidentit Meta se ka shkelur nenin 94 të Kushtetutës, në të cilin thuhet se Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të.

Komisioni Hetimor ka analizuar edhe deklaratat e kreut të shtetit kur u bënte thirrje shqiptarëve për të mbrojtur votat në çdo mënyrë me “sfurqe e sëpata”. Thirrjen për mbrojtjen e votës duke përdorur çdo mjet, komisioni e ka interpretuar si një shkelje të së drejtës kushtetuese të individëve, siç është procesi zgjedhor.

Socialistët kanë ngritur edhe akuzën se Presidenti Meta ka cënuar marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë.

Klan News





Të ngjashme