Mazhoranca ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për kthimin në shqyrtim të ligjit organik të buxhetit të vitit 2019-s. Në Komision ishte vetë Ministri i Financave, Arben Ahmetaj i cili garantoi se buxheti i propozuar nga qeveria plotëson të gjitha kushtet që kërkojnë studentët, prandaj nuk e quajti të udhës procedurën për kthimin e tij. Ahmetaj tha se në fakt Presidenti do të kishte sjellë kontribut më të madh nëse do të ndihmonte në dialogun me studentët, se sa me dekretin për kthimin e buxhetit.

Deputetët socialistë rrëzuan edhe propozimin e Presidentit për të emëruar në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Znj.Vitore Tusha. Mazhoranca refuzoi këtë propozim, pasi kandidatja e Presidentit është e angazhuar në organet e reja të emërimit në sistemin e drejtësisë, pasi një javë më parë u përzgjodh në short si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Ditën e enjte, parlamenti do të votojë edhe 6 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke i dhënë fund ngërçit institucional që kishte mbërthyer Bankën Qendrore, për shkak të mos marrjes së vendimeve nga mungesa e numrit të anëtarëve. Ish-Ministri i Financave, Ridvan Bode, ish-drejtorja e Agjencisë së Zhvillimit Rural, Suela Popa, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, ish-Ministri i Financave Arben Malaj dhe dy pedagogët e Ekonomisë, Luljeta Minxhozi dhe Edlira Luçi pritet të jenë anëtarët e rinj të bordit të Bankës.

Tv Klan