Vetëm pak ditë pas mega-skandalit të “Panama Papers”, qeveritë europiane kanë nisur t’u kërkojnë bankave vendase llogari për veprimet e tyre, në vendet e quajtura si “parajsa fiskale”

Në Francë, Autoriteti i Kontrollit të bankave u kërkoi këtyre të fundit, një raport të hollësishëm dhe deklarimin e aktivitetit bankar, pas çështjes së “Panama Papers”.

Banka franceze “Société Générale” rezultonte si një nga 5 bankat kryesore, kliente të zyrës ligjore “Mossack Fonseca”.

Në Britaninë e Madhe gjithashtu, autoriteti supervizor i bankave, u lëshoi një ultimatum institucioneve financiare, ku u kërkonte të deklaronin brenda datës 15 prill, nëse kishin lidhje me “Mossack Fonseca”.

Hetimi i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë, dëshmoi se 365 grupe bankare kishin krijuar më shumë se 15 mijë shoqëri offshore, me ndihmën e zyrës panameze.

Presidenti panamez Huan Karlos Varela njoftoi krijimin e një ekipi me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, për të bërë sa më transparent sistemin offshore në Panama.

Tv Klan