Një rast i transmetuar mbrëmjen e  së mërkurës në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan është tashmë nën hetimin e strukturave policore. Drejtuesja e tij, 50-vjeçarja me iniciale L.T., po hetohet në gjendje të lirë për shpërdorim detyre. Ajo dyshohet se ka regjistruar fiktivisht 28 nxënës për këtë vit shkollor për të përfituar shuma parash nga Bashkia e Malësisë së Madhe.

Sipas denoncimit të mbërritur në redaksi, në konviktin e shkollës së mesme të bashkuar në Tamarë janë të punësuar 8  punonjës: një kujdestare, një magaziniere, një sanitare, një punonjëse mirëmbajtjeje dhe 3 roje. Rezultoi se punonjësit paguhen për një godinë boshe pasi në konvikt nuk fle asnjë nxënës. Drejtoresha e shkollës tha se shërbimi i konviktit funksionon dhe është në dispozicion, madje në të flenë 16-17 nxënës.

Nga hetimi i “Stop” rezultoi se konvikti nuk plotësonte as kushtet minimale, një pjesë e mirë e dhomave përdoreshin si depo, shtretërit nuk ishin të përshtatshëm për t’u ofruar studentëve komoditet. U konstatua se në konvikt nuk gjendej as ushqim për studentët ndërsa për ndërtesën janë investuar 21 milionë lekë.

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me një rast të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, ju bëjmë me dije se:     

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, që më datën 18.03.2024, kanë referuar materialet në Prokurori e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Shpërdorim detyre” për shtetasen L. T., 50 vjeçe, banuese në fshatin Tamarë, Malësi e Madhe.

Kjo shtetase duke qenë përgjegjëse e konviktit të shkollës së mesme të bashkuar, në Tamarë, dyshohet se  ka regjistruar fiktivisht 28 nxënës gjatë vitit shkollor 2023 – 2024, me qëllim përfitimin e shumave ditore dhe tenderave të paguara nga Bashkia Malësi e Madhe./tvklan.al