Punimet për ndërtimin nga themelet të Kopshtit 58 në Kodër Kamëz kanë filluar. Kryebashkiaku Veliaj e konsideroi këtë një premtim të mbajtur për komunitetin, i cili do të pasohet edhe me ndërtimin e shkollës, e cila do të mbajë emrin “Nënë Tereza”.

“Po mbajmë fjalën sot për kopshtin, ndërkohë që do ta mbajmë me patjetër fjalën për shkollën “Nënë Tereza”, 9-vjeçare dhe gjimnaz, në Kodër-Kamëz. Kodër-Kamza nuk mund të jetë një xhep, nuk mund të jetë një zonë për të importuar vetëm protestues të dhunshëm, ka të gjithë potencialin që çdo fëmijë i Kodër-Kamzës, si çdo fëmijë dhe i Bllokut, edhe i Ali Demit, i Saukut, të kenë të njëjtin shans për t’u bërë nesër inxhinierë, drejtoresha, edukatore, administratorë”.

Kryebashkiaku shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me rektoratin e Universitetit Bujqësor sa i takon hyrjes, por jo ndërtimit të shkollës.

“Nëse duan hyrje më vete dhe nëse kanë alergji fëmijët, jam i gatshëm ta diskutoj dhe t’u garantoj një hyrje më vete, por nuk e negocioj fare ndërtimin e shkollës “Nënë Tereza”. Është nder që shkolla që mban emrin “Nënë Tereza” të ndërtohet në Kodër-Kamëz, të jetë akoma më e bukur se shkolla “Kosova”, ..Me uratën, bekimin dhe gjithë dashurinë dhe gjithë dashamirësinë e këtij komuniteti, do t’i shkojmë deri në fund atij projekti, me hyrje të veçantë, por asnjë tërheqje për t’i dhënë komunitetit të Kodër-Kamzës të njëjtin trajtim që ka çdo qytetar i kryeqytetit”

.

Për Kryebashkiakun Veliaj, ndërtimi i shkollës së re është detyrimi i dikasterit që ai drejton ndaj 30 mijë banorëve të kësaj zone.

Tv Klan