Shtohen prenotimet edhe në Razëm të Shkodrës

Nata e Krishtlindjes e gjeti qytetin të mbipopulluar Korçën. Vizitorët nuk janë vetëm nga qytetet e tjera të vendit, por edhe përtej kufijve. Ora policore nuk e shmangu atmosferën festive në rrugët e qytetit, por pas orës 20:30 rrugët ishin bosh.

Shumë prej turistëve thonë se mbyllja herët e lokaleve ishte arsyeja për të reduktuar kohën e qëndrimit në Korçë. 

“Kufizimi nuk na lejon shumë, deri në 20:30 duhet të jemi brenda. Të shohim, nuk e dimë ca mund të bëjmë”.

“Kemi një javë udhëtim në Shqipëri, kemi qenë në Vlorë, Pogradec e tani në Korçë. Do rrimë nja dy ditë”.

Bujtinat dhe hotelet ju përshtatën kufizimeve dhe situatës së pazakontë krijuar nga pandemia duke e zhvendosur gjatë ditës organizimin e festës tradicionale të Krishtlindjes.

“Situata në Korçë gjatë festave ka qenë shumë e ngarkuar. Menaxhimi i situatës për shkak të orarit jemi munduar që darkën ta kthejmë në një drekë krishtlindjesh, që të gjithë të jenë në rregull”.

Në të njëjtën formë është vepruar edhe në Razëm të Shkodrës, ku mesa duket pamundësia për të lëvizur jashtë vendit ka shtuar prenotimet në këtë Krishtlindje.

“Sezoni i vjeshtës shkoi shumë mirë. Tani jemi për festa dhe kërkesa është e lartë”.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për qytetet bregdetare, më pak të zgjedhura nga turistët për festat e fundvitit.

Kreu i operatorëve turistik për jugun Vasil Bedini është shprehur se numri i rezervimeve është tepër i ulët.

“Atmosfera ka qenë pothuajse zero. Hotelet nuk kanë patur rezervime”, tha ai.

Të dhënat mbi rezervimet në strukturat hoteliere tregojnë se për festat e fundvitit fokusi i turistëve është turizmi malor.

Tv Klan