ceremoniaNgritja e flamurit të Kosovës shënoi edhe nisjen e ceremonisë festive kryesore me rastin e 6 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit.

Ceremonia u zhvillua në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, i inauguruar vetëm pak muaj më parë. Ceremonia kulmoi me parakalimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për presidenten Atifete Jahjaga, pavarësia e Kosovës është garanci për paqen dhe sigurinë e rajonit.

Kryeministri Hashim Thaçi shpalosi edhe ambicjen e qeverisë së tij, për të shndërruar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një ushtri të mirëfilltë.

Ambasadorja amerikane Tracy Jackobson përcolli në shqip, urimet e presidentit amerikan Barak Obama. Pasi vlerësoi në veçanti dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Jackobson inkurajoi autoritetet kosovare të vijonë me reformat integruse në strukturat Euroatlantike.

Më herët Kuvendi i Kosovës mbajti edhe një seancë solemne, ku kryeministri Thaçi falenderoi aleatët që ndihmuan popullin kosovar të realizojë ëndërrën shekullore, shpalljen e pavarësisë.

Në orët e para të mëngjesit, krerët më të lartë të vendit zhvilluan homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova.