Ndalohen 26 persona për thyerje të rregullave

Kishte gënjyer nëpërmjet rrjetit social Facebook se ka dalë pozitiv me COVID-19. Ky qytetar nga Prishtina, menjëherë është identifikuar dhe është arrestuar nga policia e Kosovës dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa 26 persona janë ndaluar nga policia 24 orët e fundit për mosveprim të dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë. Disa prej tyre janë dërguar në mbajtje.

33 pacientë të infektuar me koronavirus aktualisht janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK, ndërsa të tjerët në shtëpi. Sipas mjekëve 7 prej pacientëve të shtrirë në spital kanë nevojë për oksigjenoterapi ndërsa dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë.

Ndërkohë qeveria në detyrë ka ndryshuar orarin e ndalimit të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve private, gjatë kohës së përballjes me pandeminë e koronavirusit.

Sipas vendimit të ri të qeverisë, ndalimi vlen nga ora 17:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Këtë vendim të ri e kanë mirëpritur qytetarët e Prishtinës.

Fillimisht, ishte vendosur që lëvizja të kufizohet nga ora 10:00 deri në 16:00 dhe nga 20:00 deri në 6:00, por më pas kjo shfaqi pakënaqësi pasi u panë grumbullime të shumta të qytetarëve, kryesisht në dyqane. 

Ndërsa farmacitë e licencuara do të ushtrojnë veprimtaritë e tyre nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 17.00. Pas kësaj kohe veprimtaria e tyre do të organizohet përmes kujdestarisë. 

Tv Klan