Rritet numri i pacientëve në gjendje të rëndë në Kosovë


Rritet numri i pacientëve në gjendje të rëndë në Kosovë

14:03 05/09/2021

1207 persona të shtruar në spitalet Covid, 87 në gjendje të rëndë

Krahas numrit të lartë të fataliteteve, Kosova po përballet me një situatë të vështirë edhe në spitale.

Sipas autoriteteve shëndetësore atje, në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtruar 1.207 pacientë, prej tyre 1.101 janë të konfirmuar me koronavirus. Prej tyre 1026 po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Ajo që bie në sy nga të dhënat e shërbimit spitalor në Kosovë rritja e ndjeshme e rasteve të pacientëve në gjendje të rëndë dhe që gjenden në kujdesin intensive.

Ndërsa të shtunën ishin raportuar 73 pacientë në gjendje të rëndë, këtë të dielë ky numër u rrit në 87.

Rreth 418 pacientë që po marrin trajtim të specializuar spitalor janë të shtruar në klinikën universitare në Prishtinë, ndërsa në spitalet e përgjithshme po marrin trajtim 789 persona të tjerë.

Kosova edhe për këtë javë mbetet në listën e vendeve që kanë numrin më të lartë të humbjeve të jetës nga Covid në raport me numrin e popullsisë, teksa renditet e dyta në botë, pas Gjeorgjisë, por me një përkeqësim të ndjeshëm të situatës krahasuar me një javë më parë.

Sipas të dhënave zyrtare Kosova këtë javë pati një vdekshmëri prej 85.8 persona për çdo 1 milionë banorë, një shifër kjo shumë më e lartë se një javë më parë, kur Kosova edhe pse mbante vendin e parë në botë për vdekshmërinë, kishte vetëm 54.4 vdekje për 1 milionë banorë.

Tv Klan






Të ngjashme