Kosova ka arritur një marrëveshje falë ndërmjetësimit të BE -së me Serbinë për njohjen e certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme ADR, mes dy shteteve.

Në një njoftim të ministrisë për dialog në qeverinë e Kosovës, thuhet se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës palët janë pajtuar në Bruksel për njohjen e ndërsjellë të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme, me të cilat pajisen automjetet dhe drejtuesit e tyre.

Kosova vendosi muajin e kaluar të bllokojë kamionët nga Serbia, e cila nuk njihte certifikatat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Marrëveshja hyn në fuqi nga 25 Prill.

Në njoftim thuhet se ministrja për dialog Edita Tahiri ka ngritur shqetësimet në lidhje me fushatën elektorale provokative të zyrtarëve të Serbisë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, si dhe ka kërkuar që Bashkimi Europian të përcaktojë qartësisht standardet për frymën e normalizimit në mënyrë që të parandalohen shfaqjet destruktive dhe keqpërdorimet e marrëveshjes për normalizim nga ana e zyrtarëve serbë gjatë fushatës zgjedhore. Në këtë kuadër me kërkesë të BE – së që palët të angazhohen për frymën e normalizimit dhe pas kërkim faljes nga ana e Marko Gjuriçit për hyrje ilegale në Kosovë, palët janë zotuar që të respektohet marrëveshja për vizitat reciproke të zyrtarëve si dhe deklarimet duhet në mënyrë rigoroze të respektojnë frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, citon Zëri i Amerikës.

Gjithashtu është biseduar për çështjen e hyrjeve dhe daljeve në Kosovë me letërnjoftime ilegale të lëshuara nga strukturat paralele. Bashkimi Europian ka kërkuar që të krijohet një hapësirë kohore kalimtare në mënyrë që edhe ky problem të zgjidhet sa më shpejt.

Javën e kaluar ministrja Tahiri kishte vendosur të ndalojë hyrjen në Kosovë të atyre që janë të pajisur me letërnjoftime të lëshuara nga strukturat paralele serbe, duke nxitur reagimin e Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Ndërkohë, drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se

“letërnjoftimet e Serbisë do të përdoren normalisht, ashtu sikurse edhe deri më tani’.

Ai tha se Brukseli ka anuluar edhe ndalesën e hyrjes së zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, si dhe është arritur pajtimi për mënyrën e votimit në zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 24 prill.

Të mërkurën, misioni i OSBE – së në Kosovë tha se do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave në Kosovë për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote qasje në zgjedhjet parlamentare serbe të datës 24 prill.

Serbët e Kosovës marrin pjesë në votimet për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian./tvklan.al