Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias zbuloi se negociatat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Shqipërinë janë aktualisht të bllokuara. Arsyet i bëri publike gjatë një konference për shtyp në Athinë me homologun gjerman Heiko Maas.

“Ne i bëmë negociatat me Shqipërinë. Dhe siç e dini, tani janë bllokuar jo nga ne, as nga ministria e Jashtme atje, por nga problemet administrative që ata kanë, për shkak të mosmarrëveshjes mes presidentit të këtij vendi dhe qeverisë. Shkak është edhe mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht nuk siguron dot kuorumin”.

Kotzias shpalosi edhe qëndrimin e Athinës për propozimin për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ne nuk duam të ketë ndryshim kufijsh në rajon. Jemi kundër akteve që mund të çojnë në një efekt domino negativ. Por urojmë që të dy shtet t’i zgjidhin problemet e tyre. Dhe sigurisht, u përket vetë atyre të gjejnë mënyrën se si do t’i zgjidhin”.

Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas ndodhet në një tur ballkanik të nisur të hënën me Shkupin, ku shprehu mbështetjen e fuqishme për marrëveshjen për emrin me Athinën përpara referendumit të 30 Shtatorit, një çështje që u diskutua edhe gjatë vizitës në Athinë.

Tv Klan