Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj qëndrimit të  Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili ka shprehur shqetësimin lidhur me tensionet në rritje ndërmjet  Prishtinës dhe Beogradit. Sipas Guterres problemi më i madh është taksa e vendosur nga qeveria e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova është shkëputur nga UNMIK-u dhe këto deklarime nuk janë reflektim i të vërtetës së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë Haradinaj e pranoi se derisa Serbia nuk e njeh Kosovës si shtet, do të ketë tensione.

“Ne kemi shkëputur komunikimin me UNMIK-u, ata i shkuajnë këto letra dhe i dërgojnë atje, nuk është reflektim i të vërtetës së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa s’ka njohje është normale, ka tensione”.

Ndërsa ka thënë se pas vendosjes së taksës 100 ndaj produkteve serbe është rritur shitja e produkteve vendore.

Në raportin tre mujor për Kosovën, të cilin e kanë publikuar disa media, Guterres u ka bërë thirrje udhëheqësve të të dyja vendeve që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme që do të mund të përkeqësonin edhe më tej situatën.

Raporti  i është dorëzuar ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, në një kohë kur ende nuk dihet nëse Kosova do të jetë në rendin e ditës së mbajtjes së sesionit të veçantë për Kosovën, për shkak të kundërshtisë që ka ardhur nga vendet perëndimore.

Tv Klan