Opinion-Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pushteti në Shqipëri u morr nga komunistët. Si në ç’do vend ku sistemi komunist u instalua, edhe në Shqipëri ndoqi të njëjtat hapa. Fakti që njerëzit as nuk e kishin idenë se çfarë ishte apo përfaqësonte komunizmi, dhe për më tepër ishte një doktrinë e cila binte në kundërshtim të hapur me traditat dhe mënyrën e jetesës së shqiptarëve, i trembte komunistët.

Për ta bërë doktrinën sa më të pranueshme për njerëzit atëherë u fillua nga puna për ngritjen e një propagande të fuqishme që do t’i shërbente sistemit, por edhe qëllimit të sistemit. Kinemaja do t’i shërbente në mënyrë të përsosur këtij qëllimi. Propaganda që përcillet nëpërmjet imazheve është shumë herë më e fortë se format e tjera të saj. Që në vitin 1947 krijohet Ndërmarrja Kinematografike Shqiptare e cila merrej me realizimin e kronikave të shkurtra dhe shpërndarjen e filmave të huaj në kinematë e vendit të cilat ishin shtetëzuar tanimë.

Ndërmarrja Kinematografike, e cila përzgjidhte filmat të cilët do të shfaqeshin, kishte një punë vërtetë të madhe në gjetjen e atij materiali të cilësuar “edukues” për mendjet e reja të cilat duhej të ushqeheshin me idetë marksiste-leniniste. Urdhrat ishin të qarta nga Byroja . Puna intensive synohej vetëm drejt të rinjve pasi ata duhet të ndikoheshin nga “Ideja” . Shqipëria duke qene se kishte shumë pak traditë në këtë fushë dhe specialistët, në të vërtetë të paktë, cilësoheshin edhe si produkte të sistemit paraardhës dhe nuk shikoheshin me sy të mirë nga udhëheqja e Partisë.

Kështu nisi përgatitja e regjisorëve në vendet e Bllokut Komunist të cilët, edukoheshin dhe arsimoheshin me të gjithë frymën marksiste dhe do të ishin motorët e lëvizjes dhe përhapjes së kësaj ideologjie në mendjen e shqiptarëve.

Të ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan për të diskutuar rreth kësaj teme ishin Fatos Lubonja, Pirro Misha, Ardian Klosi, Kujtim Çashku.

Të ftuar: Fatos Lubonja, Pirro Misha, Ardian Klosi, Kujtim Çashku.