Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg 1 muaj për Skënder Krasniqin, i cili vrau djalin e tij Albert Krasniqi dy ditë më parë në Kosovë.

Ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionin publik në Kosovë dhe në Shqipëri, për shkak se viktima Albert Krasniqi ka qenë biznesmen dhe menaxher i VIP-ave.

Prokuroria e Kosovës kërkoi 1 muaj paraburgim për Skënder Krasniqin deri në përfundim të hetimeve. Kjo kërkesë u pranua nga gjykata, duke e vlerësuar një masë të përshtatshme.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri Skender Krasniqi mund ti asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo falsifikojë provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarët, të cilët janë familjarë të të pandehurit, po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, tregon rrezik se nëse i pandehuri do të gjendet në liri ekziston rreziku se do të pengohet rrjedha e procedurës penale”, thuhet në vendimin për masën e sigurisë.

Skënder Krasniqi vrau djalin e tij Albert Krasniqi pas konfliktet që kishte me të dhe lajmëroi vetë policinë duke u thënë “ejani sa vrava djalin”.

Sipas mediave kosovare, i ndjeri Albert Krasniqi disa ditë më parë kishte dhunuar gruan e tij dhe për këtë arsye dyshohet se ka qenë në kërkim policor.

Kjo është bërë shkak edhe i konfliktit të tij me babain, pasi ky i fundit i kërkonte që të dorëzohej. Albert Krasniqi ka patur probleme me drejtësinë edhe në të kaluarën. /tvklan.al