Shqipëria po shkëlqen në detyrën e saj që po bën për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi. Këtë mendim ka kryeministri Edi Rama, i cili ditën e sotme nga Vjena tha se Shqipëria është vlerësuar nga të gjithë.

“E përsëris, ky është një nder i madh për Shqipërinë. Është një moment kur Shqipëria udhëheq OSBE-në jo thjesht formalisht, por me ide dhe një lidership që vlerësohet nga të gjithë nga pikëpamja. Nuk kemi ardhur për t’i dhënë mend botës. Kemi ardhur se bota na ka dhënë një detyrë dhe në këtë detyrë ne po shkëlqejmë”, tha Rama para gazetarëve.

Kryeministri deklaroi se nuk dihet nëse do të shkojë në Minsk për dialogun mes palëve. Ai u shpreh se ambasadori bjellorus nuk ka refuzuar, por ka kërkuar kohë për të kthyer përgjigje.

Ndërkohë Rama u shpreh se gjatë qëndrimit në Vjenë për këtë çështje është takuar me palën amerikane, ruse dhe gjermane. 

“Nuk e di, kjo është diçka që  nuk e di askush. Nga ana bjelloruse nuk ka refuzim. Edhe sot ambasadori i tyre në marrjen e fjalës nuk ishte aspak refuzues thjesht tha që në kohën e duhur ne do të japim përgjigjen tonë. Më vjen shumë mirë që kemi pasur një ndërveprim pozitiv edhe me palën amerikane me të cilët kemi qenë dje, edhe me palën ruse me të cilët kemi qenë sot edhe me miqtë e shtrenjtë dhe partnerët e pandarë, gjermanët. Do shohim si do shkojë procesi”, tha Rama. /tvklan.al