Nuk kaluan as 12 orë nga mbyllja e numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare që nxorrën fituese Demokracinë e Re, dhe Kyriakos Mitsotakis u shfaq me familjen, bashkëshorten, djalin dhe dy vajzat për të marrë mandatin për formimin e qeverisë tek Presidenti Prokopis Pavlopulos.

Siç është tradita, mandati u nënshkrua si nga kreu i shtetit, ashtu edhe nga Kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë, Ieronimos. Pas rreth 1 ore, Mitsotakis shkoi tek selia e Kryeministrisë, nga ku përcolli Alexis Tsipras, për të marrë në dorë frenat e qeverisë. Ai do të publikojë edhe kabinetin e ri qeveritar që do të betohet të martën. Procedurat e formimit të qeverisë parashikohet t’i përfundojë shpejt pasi e ka shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, ndryshe nga pararendësit e tij të 8 viteve të fundit.

Megjithatë, analizat mediatike shkruajnë se Mitsotakis do të ketë një fillim të vështirë. “Nga fitorja e madhe në patatet e nxehta” shkruhet në një artikull. Qeveria e re do të ketë një periudhë të shkurtër tolerance për të prodhuar rezultate dhe do të trajtohet në mënyrë më rigoroze sesa pararendëset.

Sfidat nisin me koncensionet 99-vjeçare të pronave shtetërore të dhëna nga Tsipras, si pjesë të paketave anti-krizë, fondet e cunguara për investime, e deri tek marrëdhëniet me fqinjët, mosmarrëveshjet për zonat ekskluzive ekonomike, kryesisht me Turqinë në detin Egje.

Tv Klan