Diskutohet për marrëdhëniet fetare dhe integrimin europian

Shqipëria dhe Vatikani kanë përkujtuar 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes tyre. Me këtë rast Papa Françesku priti në një audiencë të veçantë Kryeministrin Edi Rama.

Në rreth një orë bisedë ata folën për marrëdhëniet që ekzistojnë mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë dhe vullnetin e përbashkët për forcimin e tyre të mëtejshëm. Situata në Ballkanin Perëndimor dhe rruga e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian ishin gjithashtu në fokus të bisedës që Kryeministri Rama pati me Atin e Shenjtë.

Takimi u përmbyll me shkëmbimin e dhuratave simbolike. Një basoreliev prej bronzi dhe tre vëllime dokumentesh papnore ishte dhurata e përgatitur nga Papa Françesku për kryeministrin shqiptar. Ndërsa Rama nga ana e tij i bëri dhuratë Papës dy ikona dhe një letër të At Gjergj Fishtës.

Bisedën me kryeministrin Edi Rama, Papa Françesku e kujtoi edhe në një audiencë me organizatorët e Festivalit ndërkulturor të Giàvera del Montello-s, në Itali, ku tha se ishte prekur marrëdhënia që kanë shqiptarët me Zotin.

Tv Klan