“Të rinjtë e talentuar duhet të kenë shansin të veshin fanellën kuq e zi”

Ekipi olimpik që do të përfaqësojë Shqipërinë në lojërat dimërore në Pekin është takuar këtë të enjte me kryebashkiakun Erion Veliaj në zyrën e tij.  Edhe në pritjen që i kishte rezervuar skiatorit të talentuar Deni Hoxha, Veliaj zgjodhi që bisedën ta lidh me debatin aktual që ka me Federatën Shqiptare te futbollit.

 “Më kujtohen zënkat me karrige kokës të Komunitetit Olimpik. Edhe peshëngritja ishte kthyer në një bunker. Por, Ja ku jemi sot! Një betejë që duket e pamundur, kur mobilizohet shoqëria, situata zhbllokohet. Tani kemi një Komunitet Olimpik të hapur, që financon dhe financohet, pra arrin të mbledhë financa edhe nga qeveria, edhe bashkitë. Kemi një Bashki që është vënë e gjitha në dispozicion të sportistëve, ndaj ky debati i fundit për futbollin nuk është vetëm debati im personal, si aksioner i FK Tiranës, apo si financues kryesor i sportit në Tiranë me terrene sportive, por është edhe një debat i shoqërisë sonë”.

Veliaj mbrojti idenë se beteja e tij me Federatën Shqiptare të Futbollit është për t’ju hapur udhe talenteve të reja të shkëlqejnë në futboll.

“Është e provuar se kur hapet loja, kur zhbllokohen bunkerët, kur ka ‘fair play’, kur ti e di kush janë delegatët që të votojnë, kemi talente të reja si Deni-të cilit nuk i ka thënë njeri ‘paguaj 100 mijë euro që të jesh pjesë e ekipit Olimpik’ – kjo nuk duhet të ndodhë as në futboll. Nëse kemi të rinj si Deni, që duan të luajnë futboll dhe janë më të mirët, duhet t’u jepet shansi që ta veshin fanellën kuq e zi pa kaluar nëpër këto shëmtitë banale që i dëgjojmë prej 20 vitesh.

Për kryebashkiakun Shembulli i Komunitetit Olimpik Shqiptar është modeli që ju jep mundësinë të rinjve të shkëlqejnë duke ngritur lart edhe Shqipërinë.

Tv Klan