Kryeministri Rama: Ilir Meta, kandidat zyrtar i partisë së tij në Vlorë



Kryeministri Rama: Ilir Meta, kandidat zyrtar i partisë së tij në Vlorë

11:00 10/04/2021

Kryeministri Edi Rama e konsideron Presidentin Ilir Meta si kandidat për deputet të partisë së tij në Vlorë.

Pikërisht nga qyteti bregdetar ku ndodhej për të ndjekur procesin e vaksinimit, Rama tha se Meta shoqërohet me persona që janë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.

“Ilir Meta tani është kandidat zyrtar i partisë së tij në Vlorë, s’ka asnjë problem. Natyrisht që ai bën një fushatë atipike, skutave, me subjekte të OFL-së, i shoqëruar me gjykatës dhe prokurorë që janë nxjerrë jashtë nga procesi i Vettingut dhe ëndërrojnë revanshin nëpërmjet Saliut dhe Ilirit që qëllimin kryesor të revanshit kanë rimarrjen në duar të drejtëisë dhe rizhytjen e drejtësisë në llumin e të shkuarës. Shpërndan dekorata nuk diskutohet, tani lajmi i fundit është që do të dekorojë edhe floktore në Vlorë, nuk e di kujt do t’i bjeri. Këto dekorata janë thjesht teneqe të shpërndara për arsye që është e kotë t’i diskutojmë dhe përveç shpërndarjes se teneqeve, Presidenti ofron edhe indulgjenca, si për shembull nxjerrin nga burgu të vëllait të X apo të kunatit të Y, një tërësi gjërash që besoj do të jenë të mjaftueshme për vlonjatët për t’ia dhënë dërrmën këtyre forcave krejtësisht të kundërta me historinë që po bëjmë së bashku dhe që në 25 Prill të vazhdojmë punën”.

Ndërsa për tubimet elektorale të opozitës, Kryeministri deklaroi se do të ndikojë në rritjen e infektimeve.

“Këto që po ndodhin çdo ditë me ato turmat e shekullit të kaluar që rimblidhen me bori e me flamuj, e me dy gishta e ngjitur me njëri-tjetrin, do të sjellin një rritje të numrit të infektimeve dhe kjo është e pashmangshme siç ka ndodhur dhe në vende të tjera. Urojmë që të mos jetë një rritje dramatike”. /tvklan.al







Të ngjashme