Pagat e mësuesve dhe të mjekëve do të rriten me 40% gjatë 4 viteve të ardhshme. Ky është premtimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili tha se kjo rritje pagash përfshihet në programin e qeverisë së re.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim rreth programit qeverisës, Rama theksoi se mësuesit dhe mjekët janë kategori prioritare.

Sa i përket mungesës së mjekëve nëpër rrethe, Kryeministri u shpreh se do të aplikohet një skemë që mjekët e spitaleve rajonale dhe të Tiranës të shkojnë nëpër rrethe duke u stimuluar nga rritja e pagës, që do të jetë e përafërt me ato të mjekëve në vendet e Bashkimit Europian.

LSI: Cilat janë prioritetet e qeverisë për investimet publike?

Rama: Prioritare mbetet sigurimi i financave publike në nivelin e 5 % për prodhimin e brendshëm për investimet. Sa i përket infrastrukturës, thelbi mbetet garantimi i lëvizjes që do të orientojë investimet.

Sektorët prioritarë do të mbështeten edhe përmes partneritetit publik-privat, si edhe përmes investimeve të huaja.

LSI: Sa % e prodhimit të brendshëm do dedikohet për arsimin, shëndetësinë etj?

Rama: Jemi të qartë për domosdoshmërinë për vazhdimin e mbështetjen ndaj mësuesve dhe mjekëve për rritjen e pagave të tyre deri në 40% brenda këtij mandati. Gjithashtu, të nxitim mjekët specialistë që të punojnë jashtë spitaleve rajonale apo spitaleve jashtë Tiranës.

LSI: Për familjet në nevojë cila është paketa sociale?

Rama: Programi tradicional do të zëvendësohet nga programi mbështetje për riintegrim. Ajo që kemi ne qëllim është që në 2 familje njëra të jetë përfituese e programit për riintegrim. Paketa e re parashikon një rritje të masës së ndihmës, duke hequr tavanin 8 mijë lekë.

LSI: A do të ketë më shëndetësi falas?

Rama: Politika jonë e mbulimit universal do të vijojë. 

/tvklan.al