Pyetja për votuesit në referendum ishte nëse pranojnë apo jo anëtarësimin në NATO e Bashkim Europian përmes marrëveshjes me Athinën për emrin e ri.

Pasi hodhi votën, kreu i qeverisë Zoran Zaev u shfaq para kamerave, optimist për rezultatin përfundimtar.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë:

Sot është një festë e vërtetë. Pres një pjesëmarrje masive që konfirmon vullnetin e maqedonasve për të arritur objektivat strategjike, anëtarësimin në aleancën më të fortë ushtarake globale NATO dhe në unionin më të fortë ekonomik, Bashkimin Europian.

Krerët e partive shqiptare Ali Ahmeti e Menduh Thaçi shprehën mbështetjen për marrëveshjen me Greqinë.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: Jemi angazhuar që nga 1 tetori Maqedonia të jetë … pranë Bashkimit Europian.  Ne presim që Maqedonia të realizojë qëllimet e veta për të instaluar një paqe të qëndrueshme, siguri për gjithë qytetarët.

Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së: Besoj plotësisht në përgjigjen masive të qytetarëve të Maqedonisë në lidhje me referendumin.

Fryma mbështetëse ndaj marrëveshjes dominon edhe tek banorët shqiptarë.

Votuesi 1: Ne shqiptarët unanimisht jemi “pro” dhe të tregojmë se dimë ta duam dhe ta ruajmë këtë shtet më tepër se ata të tjerët që thonë se shteti është i tyre.

Votuesi 2: Tashmë këtu varet ekzistenca ose mosegzistenca e Maqedonisë.

Votuesi 3:Ky referendum për shqiptarët është shumë i rëndësishëm.  Me këtë ndryshim që ndoshta do të ndodhë, besoj që edhe ne do të kemi perspektivë si gjithë popujt e tjerë europianë.

Opozita maqedonase është kundër marrëveshjes me Greqinë, pavarësisht se kreu i VMRO-DPMNE-së Kristian Miçkovski vendosi të mos bëjë thirrje për bojkot, siç bëri presidenti Gjorge Ivanov.

Tv Klan

 

 

Tv Klan