Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku ka zgjedhur të mos jetë e pranishme ne seancën degjimore të Vettingut, duke u përfaqësuar nga avokatja e saj. Por thuajse të gjithë njerëzit më të afërt të saj kanë qenë në sallë duke mbajtur shënime gjatë gjithë kohës. U duk sikur do të ishtë një seancë pa shumë debate pasi numri një i akuzës nuk kishte probleme me justifikimin e pasurisë dhe pastërtinë e figurës. Por në lidhje me aftësitë profesionale pati debate si nga ana e Komisioni të Pavarur të Kualifikimit dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Një person i arrestuar për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur është ankuar se është dënuar me dy muaj burg për këtë dhe në paraburgim është mbajtur dy javë me vendim të Arta Markut. Teo Xhekobs, përfaqësuesi i ONM-së në këtë proces, u shpreh se ishte i zhgënjyer për mungesën e Arta Markut në këtë seancë pasi kërkonte të bënte debat me të.

“E shoh si një shenjë jo të mirë mungesën e saj. Arta Marku duhej të ishte këtu. Në lidhje me rastin e shtetasit që është arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, sepse kishte pirë pak më shumë raki, Arta Marku kërkoi dy herë arrest me burg për të. Nuk e mbështes idenë që duhet të drejtosh nën efektin e alkoolit, por dua të përqëndrohem te kërkesa ekstreme për arrest me burg.

Së pari, subjekti ka një përvojë të lartë si prokurore, nuk është fillestare. Ajo arrin të bëjë dallimin mes një personi që shkel ligjin dhe një krimineli, pasi jo çdokush që shkel ligjin është kriminel. Unë doja ta kisha sot këtu që të debatonim profesionalisht”,

u shpreh Jacobs.

Avokatja e Markut sqaroi se pavarësisht kërkesës, është Gjykata që vendos, duke kërkuar rikonfirmimin në detyrë të kryeprokurores së përkohshme. Vendimi për Arta Markun do të merret të mërkurën në orën 10:00.

Tv Klan