Pas Durrësit, Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku ka zhvilluar një takim me prokurorët e Vlorës. Që në fillim të fjalës së saj, Marku ka thënë se Vlora është një qark me rekorde ngjarjesh kriminale, shumë prej të cilave nuk janë zbardhur. Kryeprokurorja e përkohshme e Përgjithshme, Arta Marku e renditi Vlorën si një nga qytetet me rekorde kriminale.

Arta Marku: 

“Niveli i kriminalitetit është më i lartë në Vlorë se në Fier, Berat dhe Lushnje. Ngjarjet kanë qenë nga më të dhunshmet në qytetin e Vlorës dhe një pjesë e madhe e tyre janë ende të pazbuluara”.

Duke cilësuar marrëdhënien polici – prokurori një apati, Marku kërkoi bashkëpunim më të ngushte me policinë për zbardhjen e ngjarjeve.

Arta Marku: 

“Asnjë institucion nuk mund të punojë i vetëm dhe të ketë rezultat. Ju tani jeni të pavarur në punën tuaj dhe shpejt do vijë momenti që përgjegjësinë për çdo dështim do ta mbani vetë personalisht. Është çështje kohe që disa pseudo juristë ose pseudo analistë të kuptojnë pavarësinë tuaj dhe të dinë ku t’i kërkojnë përgjegjësitë”.

Kryeprokurorja Arta Marku prej ditësh gjendet nëpër Prokuroritë e rretheve për analizën vjetore. Të hënën nga Durrësi Arta Marku i bëri thirrje Kuvendit të Shqipërisë të ndërhyjë sa më shpejt në plotësimin e bazës ligjore për masat disiplinore në sistemin e drejtësisë, që e vlerësoi jashtë çdo kontrolli.

/abcnews.al