Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mblodhi në një takim prefektët e 12 qarqeve të vendit për t’u komunikuar prioritetet mbi mbarëvajtjen e sezonit veror 2024. Teksa bëri të ditur se ka përfunduar procesi i ndarjes së stacioneve të plazheve ajo kërkoi vëmendje të veçantë nga pushteti vendor për të mos lejuar që ato të kthehen në struktura prej betoni.

“Çdo bashki ka marrë listën me subjektet e miratuara, çka i jep mundësinë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të lidhë kontratat definitive dhe subjektet të fillojnë të ndërtojnë beach-baret. IKMT do të jetë në territor për të verifikuar që leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton. Janë leje të përkohshme ndërtimi. Iku koha kur fillohej me një barakë dhe përfundohej me një pallat. Këtu nuk do të ketë tolerancë”.

Kumbaro vuri në dukje se lufta më e madhe këtë vit do të jetë me pastërtinë dhe menaxhimin e mbetjeve.

“Është detyrë e drejtpërdrejtë e bashkive. Për sa i përket bashkisë Himarë, Sarandë, Vlorë, Rrogozhinë, Kavajë, bashkia Durrës dhe bashkia Shkodër, këtë vit do të jenë pjesë e operacionit “Plazhe të Pastra” ku nga data 15 qershor deri në datën 15 shtator, Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të dublojë, do të dyfishojë kapacitetin e pastrimit me një operator suplementar”.

Porosi e veçantë e ministres në këtë takim me prefektët ishin edhe tabelat orientuese në hyrjet dhe rrugët e qytetit si dhe përmirësimi i sistemit të informacionit dixhital që u lehtëson aksesin dhe komunikimin vizitorëve të huaj.

Tv Klan