“Do që të kapë trenin e fundit”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për mediat u shpreh kundër deklaratave të Presidentit Thaçi, i cili pas takimit konsultativ me partitë politike tha se qeveria e re do të krijohet nga partia që do të sigurojë shumicën në Kuvend.

Sipas Kurtit, Hashim Thaçi është duke rrëzuar veten me veprimet që po bën. Takimin e sotëm, Kurti e quajti një klub të stërvjetëruar politikisht.

Ai siguroi qytetarët që ka si prioritet në këto momente situatën ndaj koronavirusit, ndërsa shtoi se vetëm në përfundim të kësaj gjendjeje duhen zhvilluar zgjedhje të reja.

“Duke u munduar të na rrëzojë ne është duke rrëzuar veten dhe atë pakthyeshëm. Sot njëzëri një klub i stërvjetëruar politkisht kuptoi që nuk janë për zgjedhje. Duke thënë kështu të vërtetën e madhe të tyre, kuptoi frikën nga përballja me vullnetin qytetar. Ritheksoj se prioritet si kryeministër është parandalimi i përhapjes së virusit dhe çdo gjë tjetër partiake dhe politike nuk ka asnjë rëndësi duke përfshirë ndërhyrjet e vazhdueshme që pengojnë punën e qeverisë në këtë gjendje emergjente. Ne po punojmë kudër shpërndarjes së koronavirusit. Kriza shëndetësore është një fatkeqësi që ka pllakosur globin dhe ku ne po bëjmë një betejë përgjithësisht të suksesshme”.

Fitoren me 6 Tetor Kurti e quan ndryshimin e madh për Kosovën dhe që nuk ka kthim mbrapa. Për Thaçin shprehet se dëshiron të kapë trenin e fundit sepse është në fund të mandatit.

Me gjithë deklaratat e sotme të Presidentit Tthaçi, Kurti theksoi se do të ndjekë situatën në vijimësi dhe do ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese.

“Me datën 6 Tetor ka ndodhur ndryshimi madh, ka dalë zogu nga lëvozhga nuk kthehet më brenda. Presidentit të Republikës i kanë mbetur disa muaj mandat dhe po dëshiron të kapë trenin e fundit.

Për qeveri të re kemi theksuar se duhen mbajtur zgjedhje të reja porsa të përfundojë pandemia. Çfarëdo vendimi tjetër është devijim, kundër vendimit të qytetarëve dhe tejkalim i kompetencave të Presidentit. Do ta ndjekim me kujdes çfarë do të ndodhë ditët e ardhshme”./tvklan.al