Debate në parlament për këtë çështje

Edhe një takim tjetër ndërmjet LVV-së e LDK-së pritet për të harmonizuar qëndrimet partnerët e koalicionit, para mbledhjes së qeverisë, ku pritet të vendoset për tarifën ndaj produkteve serbe.

Ndërkohë Kryeministri Kurti i ka dërguar një letër Presidentit amerikan Donald Trump, si dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeu ku i ka njoftuar për hapat që do të ndërmarrë qeveria për heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe.

“Nga 15 Marsi ne do të fillojmë heqjen graduale të tarifave për mallrat serbe dhe ato boshnjake. Fillimisht do të hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me SHBA-në në dialogun me Serbinë. Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi”, shkruan ndër të tjera Kurti në letrën drejtua Trump-it dhe Pompeos.

Ai gjithashtu ka shkruar se ai do të vihet në krye të dialogut. Ndërkohë deputetët e Kuvendit në një seancën të jashtëzakonshme kanë diskutuar pikërisht për tarifën.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së ka thënë se Kosova nuk do të duhet të dorëzohej tash duke hequr tarifën.

“Sot i kemi 100 arsye që të kundërshtojmë heqjen e taksës. Kosova do të duhej të dijë se nëse sot i hapim tregun Serbisë ky do të jetë rrezik për nesër”.

Qeveria e kaluar ra nga taksa, edhe kjo qeveri mund të bie pikërisht nga taksa. Heqja e taksës siç e ka propozuar Kryeministri dhe pastaj ndryshimi i qëndrimit të tij tregon jokonsistencë. Për më tepër shohim një dallim mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

Tarifa 100 % ndaj produkteve serbe ishte vendosur nga qeverisja e kaluar në Nëntor të vitit 2018, ndërsa pikërisht mospajtimet për heqjen ose jo të saj kanë bërë që të japë dorëheqje Kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj dhe të bie qeveria e kaluar.

Tv Klan