Këto pamje të publikuara nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ku shihen njësitë speciale të Ushtrisë së Serbisë janë në  kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë  afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Në një status në Facebook, kryeministri ka thënë se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit.

“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes nëse a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”.


Ka reaguar Sekretari i Shtetit të Serbisë në Ministrinë e Mbrojtjes duke thënë se ato ishin patrullime të rregullta.

Nemanja Staroviç: Alarmi i pabazë i shërben shumë mirë qëllimit të Kurtit, pasi shpërqendron vëmendjen nga vuajtjet e popullit serb nën grushtin e tij të hekurt dhe e përshkruan Kosovën si viktimë të ndonjë “pushtimi” imagjinar që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë.

Në një përgjigje me shkrim për Tv Klan, KFOR ka thënë se situata në Kosovë është e qetë, por mbetet e brishtë.

Ka thënë se ka dislokuar 1000 trupa shtesë dhe ka trefishuar numrin e patrullimeve pas tensioneve të fundit në veri e që i mundëson misionit tw monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’i përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurtë.

“Ne besojmë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese dhe retorika përçarëse dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”,  thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Në konferencë Kurti u pyet edhe për zgjedhje të reja për të cilat tha se është i gatshëm vetëm nëse votojnë për shpërbërje të parlamentit ndërsa nuk është për rrëzimin e qeverisë e as nuk do të japë dorëheqje. Thotë se dialogu nuk është prioritet i qeverisë.

Tv Klan