Policia e Matit vë në pranga dy persona të dyshuar, bashkëpunëtorë të Hektor Xheçukës, në atentatin e 4 Korrikut, ku mbeti i plagosur një 28-vjeçar.

Bëhet fjalë për Saimir Klosin dhe Xherdi Porjen. Saimir Klosi, pohojnë burimet, ishte personi që mundësoi takimin mes Enrik Metrës dhe Hektor Xheçukës. Ky i fundit i kishte kërkuar një gjë të tillë, pasi mendonte se Metra kishte dijeni për plagosjen e vëllait në shtetin gjerman.

Ndërsa 20-vjeçari Porja ishte kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja. Të dy në bashkëpunim fshehën gjurmët, duke tentuar edhe në fshirjen e DVR-së.

Pak para mesnatës së 5 Korrikut, Hektor Xheçuka, në debat e sipër me Enrik Metrën e plagosi atë me armë zjarri. Metra ndodhet në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

Ai ka marrë plot 5 plumba. Një në shpatull, një në bark, një në pjesën e fundshpinës dhe dy në gju. Fatmirësisht ai ka arritur t’i shpëtojë këtij atentati, por megjithatë gjendja shëndetësore mbetet e rënduar.

Hektor Xheçuka është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë. Karriera e tij kriminale daton të paktën që nga viti 2009. Mbi Xheçukën rëndojnë disa akuza si ajo e tentativës për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe përfshirje në grupe kriminale.

Deri më tani ai ia ka arritur t’ia hedhë paq me drejtësinë, duke i shpëtuar qelisë.

Gazetare: Aida Topalli

Klan Plus