Komisioni i Venecias: Gati ta shqyrtojmë kërkesën

Për herë të dytë brenda pak muajsh, Komisioni Hetimor që po heton kreun e shtetit do t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Kësaj here rekomandimi kërkohet për përplasjen e shkaktuar mes Presidentin të Republikës dhe shumicës, për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Pas u hodh si ide nga Ambasadori Italian në Tiranë, kreu i Grupit Kuvendor Socialist, Taulant Balla tha se është vendosur t’i kërkohet një mendim i specializuar ekspertëve të Venecias, duke zgjeruar në këtë mënyrë hetimin për Ilir Metën.

“Kemi besim se Komisioni i Venecias do të japë opinione objektive lidhur me këtë çështje”.

Komisioni i Venecias iu përgjigj pa vonesë pyetjes së Televizionit Klan, nëse ishte i gatshëm ta shqyrtonte kërkesën e parlamentit. 

“Përgjigja është po. Nëse do të kemi një kërkesë nga autoritetet shqiptare, ne sigurisht do ta shqyrtojmë atë”.

Sa i takon vendimit të shkarkimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për të dekretuarin tjetër të Metës në Kushtetuese, Besnik Muçi, shumica nuk komenton. Por gjithsesi për Ballën do ishte e papranueshme që drejtësia e re të kishte në gjirin e saj njerëz me probleme me pastërtinë e figurës.

“Nuk komentojmë vendimet e KPK dhe KPA, pasi ato janë vendime të autoriteteve kushtetues. Politikanët duhet të heshtin sa herë që vetingu pastron drejtësinë nga elementët që kanë lidhje me krimin. Më mirë një Gjykatë Kushtetuese me 4 anëtarë, se sa gjithmonë  me shejtanin brenda. Do ishte qesharake që Besnik Muçi të qëndronte ende në Gjykatën Kushtetuese. Institucionet e reja të drejtësisë duhet të kenë persona që nuk kanë asnjë lloj mangësie në pastërtinë e figurës, pasurisë. Ashtu siç kemi thënë Emërimi i Xhaferllarit është një dekret i paligjshëm për Kuvendin e Shqipërisë”.

Socialistët kanë gati dhe firmat për të shtuar objekt të ri të Komisionit Hetimor dhe këtë shkelje të re të pretenduar nga kreu i shtetit.

Tv Klan