Dy trupa të gjymtuar të pajetë janë gjetur në mes të një autostrade në Spanjë, pas një aksidenti të rëndë. Mediat spanjolle raportojnë se viktimat janë një shqiptar dhe një rumun, të dy 24 vjeç. Aksidenti ndodhi ditën e sotme rreth orës 17:20 në dalje të Los Narejos.

Dy të rinjtë po qëndronin brenda makinës që ishte e ndaluar në anë të autostradës dhe me drita fikur. Mjeti i tyre u përplas nga pas nga një tjetër makinë.

Goditja ishte aq e fortë saqë dy makinat u zhvendosën për disa metra. Pas aksidentit, dy trupa qëndronin në mes të autostradës, të gjymtuar, me shenja dhe lakuriq.

Bëhet fjalë për shqiptarin dhe rumunin të cilët dyshohet se mund të kenë dalë nga makina nga forca e përplasjes.

Policia spanjolle nuk përjashton as pista të tjera hetimore, për shkak se ngjallen dyshime nga fakti që dy viktimat ishin të zhveshur. Ndërkohë, shoferi i makinës tjetër ka mbetur i plagosur.

Autostrada ku ndodhi aksidenti u bllokua për rreth 4 orë deri në përfundim të hetimeve dhe mbledhjes së provave në vendngjarje, si dhe pas pastrimit të rrugës. /tvklan.al